Tema aktuale: Stresi dhe si ta trajtojmë

Në kuadër të planit të zhvillimit profesional në nivel shkolle, profesoresha e psikologjisë Suela Kaca dhe profesoresha e biologjisë Sabina Murati, mbajtën orën pasqyrë “ Stresi dhe shëndeti”.

Ora u mbajt me nxënësit e klasës II4, të cilët patën rastin që përmes një prezantimi interaktiv të orës të njiheshin me pikat kyçe të temës, trajtuar nga këndvështrimi psikologjik dhe biologjik, me qëllimin që nxënësit të zhvillojnë një qëndrim të përgjegjshëm ndaj stresit.

Përmes një mësimdhënieje interaktive, nxënësit u përfshinë në një mjedis aktiv të të nxënit përmes punës individuale dhe punës në grupe, ku profesoreshat ishin më pak ligjëruese e më shumë organizatore dhe udhëheqëse të orës mësimore.

Kjo orë inovative inkorporoi aktivitete interesante, që zgjuan interesimin dhe motivimin e nxënësve, aktivitete këto, që inkurajojnë shkathtësitë e të menduarit dhe shkathtësitë e komunikimit.

Ora filloi me një aktivitet me mjete konkretizuese për të nxitur kureshtjen dhe për të bërë një paralelizëm të shembullit të dhënë me përvojat personale të nxënësve lidhur me temën.

Ora vazhdoi me prezantimin në power point gërshetuar me aktivitete praktike. Një tjetër inovacion i kësaj ore ishin edhe fletët e punës didaktike hartuar enkas për këtë orë mësimore për të lidhur teorinë me praktikën.

Gjatë orës, prezantimi vizual i koncepteve përmes skemave dhe fotografive zgjoi interesim të veçantë tek nxënësit.

Në përfundim të orës nxënësit ndoqën një video ilustruese me përmbledhjen e pikave kryesore të orës, video që u shoqërua edhe me një rrjet diskutimesh të shkurtra nga ana e nxënësve.

Në orë prezentuan pedagogia e shkollës Fatmire Molla, psikologia e shkollës Blerta Kasneci dhe kryetarja e aktivit të lëndëve filozofike Hasije Loshi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *